
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kandidati republikan, Donald Trump, të shtunën do të bëjnë fushatë në shtetin kyç në garën për Shtëpinë e Bardhë, Georgia.
Të dy kandidatët e kanë akuzuar me javë njëri-tjetrin se paraqesin kërcënim për demokracinë, por e shtuna do ta shënojë herën e parë këtë vit që Bideni dhe Trumpi do të jenë në të njëjtin shtet amerikan në të njëjtën kohë, raporton agjencia “Reuters”.
Nuk mund të ketë më 5 nëntor garë më të ngushtë në zgjedhje se në Georgia, ku Bideni kishte fituar më 2020 dhe Trumpi pretendonte në mënyrë të rreme se kishte qenë viktimë e një mashtrimi të gjerë zgjedhor. Trumpi ballafaqohet me akuza kriminale në këtë shtet për përpjekjet e tij që të ndërhynte në numërimin e votive.
Trumpi pritet që edhe zyrtarisht ta sigurojë nominimin e Partisë Republikane të martën, kur në Georgia, Hawai, Mississippi dhe Uashington mbahen garat brenda partisë.
Të enjten, Bideni e mbajti fjalimin e njohur si “Gjendja e Unionit”, plot kritika për Trumpin, duke e akuzuar atë se po e rrezikon demokracinë, po përkulet para presidentit rus, Vladimir Putin, dhe po e fundos reformës dypartiake për migrimin.
Megjithatë, presidenti po vazhdon që të ballafaqohet me reagime në mesin e demokratëve për përkrahjen e tij të patundur për Izraelin gjatë luftës së këtij shteti kundër Hamasit në Gaza, pakënaqësi që mund të shfaqet në votimin në Georgia të martën.
Një koalicion i përbërë nga grupe me shumë besime e shumë raca ka nisur një fushatë, duke u bërë thirrje votuesve që t’i lënë fletëvotimet boshe në vend të votës për Bidenin të martën, me shpresë se do të dërgojnë një porosi në Shtëpinë e Bardhë për ta rishqyrtuar përkrahjen për Izraelin.
“Bideni nuk mund të fitojë [në Georgia] prapë, nëse votuesit e rinj, votuesit me ngjyrë, votuesit myslimanë, votuesit arabo-amerikanë, votuesit hebraikë dhe të tjerët, që e kishin përkrahur herën e fundit për, vendosin që të qëndrojnë në shtëpi ose vendosin që të votojnë një kandidat të tretë” – tha Edward Ahmed Mitchell, zëdhënës i Koalicionit “Dëgjojeni Georgia-n”.
Trumpi do të mbajë një tubim të shtunën në mbrëmje në qytetin Rome, bastion konservatorësh në Georgia.
Bideni pastaj do të mbajë një tubim në mbrëmje në zonën e Atlantës. Pjesët periferike të këtij qyteti, që po rriten dhe po i nënshtrohen diversifikimit të shpejtë, shihen si kyçe për shpresat e demokratëve për fitore.












