I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar për REL se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin Kurti për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Në lidhje me këtë deklaratë të emisarit amerikan ka folur për “Gazeta Blic” nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Haziri tha se kjo shpërfaq raportet më të këqija të mundshme që ka kryeministri dhe qeveria e Kosovës me qeverinë amerikane.
“Kjo deklaratë në fund të vizitës të zotit Escobar zbardh raportet më të këqija të mundshme, pika më e ultë e raporteve që sot ka kryeministri dhe qeveria e Kosovës me qeverinë amerikane dhe me partnerët e saj me NATON-n me Bashkimin Evropian dhe me fqinjtë e saj. Kjo tregon për karakterin dhe mendësinë e kësaj forme politike që është imponu nga zoti Kurti sepse ai ka fillu me një raport të keq me opozitën me shoqërinë civile, me sindikatat me grupet politike dhe ato të interesit në Republikën e Kosovës”
Haziri pati një koment edhe rreth deklaratës së Escobar se “ne gjthmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës por ka shumë zhgënjim me ketë qeveri të Vetëvendosjes”.
“Definimi i raportit se ne marrëdhëniet e mira i kemi me popullin e Kosovës dhe jo me qeveri, është formula më e keqe e mundshme që mundet me pas një raport politik me një qeveri të caktuar por e mira e kësaj është që partneriteti ruhet me popullin e Kosovës dhe vetë vizita tek shtatorja e Ibrahim Rugovës tregon qartë se sa e rëndësishme dhe me vlerë ka qenë ky raport dhe këto marrdhënie speciale që ka ndërtu populli i Kosovës nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës dhe trashigimi që ia ka lënë LDK-së”












