
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka uruar homologun e tij rus, Vladimir Putin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Vuçiq ka thënë të martën se letrën e urimit për Putinin ia ka dorëzuar ambasadorit rus në Beograd, Alexander Bocan Harchenko.
“Në të, përveç që ia kam uruar fitoren, ia kam sqaruar edhe peshën e situatës me të cilët po përballen serbët në Kosovë, sfidat e mëdha politike me të cilat përballet Serbia, dhe e kam falënderuar Rusinë për mbështetjen e saj për integritetin territorial të Serbisë”, ka thënë Vuçiq në Instagram.
Presidenti i Serbisë ka folur me ambasadorin rus dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve treditore presidenciale në Rusi, të cilat i ka fituar Putini.
Ai i ka siguruar me lehtësi 87 për qind të votave, në zgjedhjet e kontrolluara prej Kremlinit.
Perëndimi ka thënë se nuk i konsideron këto zgjedhje, as të lira, as të drejta.










