Deputeti i VV’së, Gramos Agusholli ka folur për deklaratën e fundit të ambasorit Hovenier ku tha se, Kosova nuk ka pse të frikësohet nga kërcënimet e Vuçiqit.
Agusholli thotë se Hovenier e tha me të drejtë atë deklaratë, pasi sipas tij, ne kemi Ushtrinë tonë të përgatitur mjaftueshëm, por edhe mbështetjen e shteteve të bashkuara në aspektin e sigurisë
“Kur thuhet nje deklaratë si “Serbia është më afër NATO-s” pastaj edhe Vuçiqi e merr të drejtën për të kërcënuar, ashtu siç ka bërë herë pas here, e cila më pas rezultoj edhe me sulmin në Banjskë, para syve të komunitetit ndërkombëtar”, tha Agusholli.
“Ashtu siç tha edhe Ambasadori Hovenier, unë nuk mendoj që populli duhet të ndjehet i frikësuar, sepse ne kemi Ushtrinë tonë të përgatitur mjaftueshëm, dhe besoj që kemi edhe mbështetjen e shteteve të bashkuara në aspektin e sigurisë”, shtoi ai.
Sipas Agushollit, Kosova ka raport të mirë me ShBA-të, por ndryshojnë veç mendimet.
“Ne, si popull, kemi një raport shumë të mirë me Shtetet e Bashkuara. Nëse ndonjëherë gjatë rrugës përballim mendime të ndryshme, kjo nuk do të thotë që ata ose ne qëllimisht e prishim partneritetin”, tha Agusholli.
Agusholli ka folur edhe për akuzat që opozita i ka dhënë karshi pushtetit për prishje të raporteve me ShBA-të.Sipas tij, deklarata e akuza të tilla nuk i bëjnë mirë as atyre dhe as shtetit tonë.
“Duke lexuar deklarata të ndryshme, sidomos nga faktori opozitar që kërkon ndëshkimin e diplomacisë sonë për shkak të prishjes së raporteve, konsideroj që këto deklarata nuk i bëjnë mirë as atyre, as shtetit tonë”, tha Agusholli.












