Korporata Energjetike e Kosovës nuk e ka ndërmend të ndalet.
Pavarësisht se është ndërmarrja që kryeson listën e institucioneve për lidhjen e tenderëve njëburimorë, KEK-u po vazhdon avazin.
Dy kontrata njëburimore, të dyshimta, janë lidhur vetëm ditën e premte. Dhe atë, në afat për vetëm dy muajt e ardhshëm. Vlera e dy kontratave shkon në mbi 500 mijë euro.
Njëra kontratë është lidhur me kompaninë e sigurimit “Rojet e Nderit” me qëlllim të ruajtjes dhe sigurimit të objekteve të KEK-ut për muajt prill dhe maj 2024.
Vlera e kësaj kontrate është saktësisht 453 mijë e 122 euro. Kjo kontratë është dhënë pa shpallje publike, por vetëm me njoftim diretk publik në faqen e KRPP-së.
Sipas raportimeve që kanë ndodhur në të kaluarën, Auditori kishte gjetur një numër parregullsish në kompaninë në fjalë.
Po të njëjtën ditë, Korporata Energjetike e Kosovës lidhi një tjetër kontratë, gjithashtu njëburimore. Kjo ndërlidhet me transportin e punëtorëve për muajt prill dhe maj.
Njëra kontratë u lidh me kompaninë “AutoTransporti” në vlerë mbi 122 mijë ero, kurse një tjetër me kompaninë Bujar Dervishi në vlerë mbi 25 mijë euro.
Edhe për këtë njoftim zyrtarizimi u bë në faqen zyrtare të KRPP-së.
Për këtë çështje, ka reaguar ditën e premte deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
“Tregoni dikush Zogianit se sot derisa ai e ka postu tekstin që ja kanë dërgu nga qendra e LVV-së, KEK-u ka nënshkru edhe dy kontrata sekrete, njëra prej tyre është kontrata e 14-të me radhë me të njëjtën kompani, për sigurim fizik, 13 i ka pasë të negociume në vlerë prej 5.6 milionë euro, sot është nënshkru kontrata e 14 në vlerë prej 453,122.72 euro (sigurim fizik vetëm për 2 muaj), sipas njoftimit të KRPP-së, të publikur sot në webfaqen e tyre”, ka shkruar ajo.
“E derisa dje ne kishim tri orë debat parlamentar, ministrja Rizvanolli që është përgjegjëse për ndërmarrjet publike nuk e nxori asnjë fjalë nga goja edhe pse disa herë u pyet nga deputetët për 112 kontrata sekrete të KEK-ut dhe 102 milionë të shpenzuara, LVV sot paska vendosë që përmes Avni Zogianit të me pyes mua e ish Kryeministrin Hoti, jo për ministritë me të cilat ne kemi udhëhequr, por për ministrinë që ka udhëhequr Blerand Stavileci. Edhe njëherë dje ministrja Rizvanolli përgjegjëse për KEK-un ansnjë fjalë se ka thënë për 112 kontratat e KEK-ut në vlerë prej 102 milionë eurove dhe siç po e shifni kontratat sekrete po vazhdojnë”, reagoi deputetja Bajrami.
“Ju bëj thirrje ta votoni komisionin hetimor parlamentar, për kontratat 2021-2023. LVV le të bëj kërkesë për komision hetimor për vitet 2015-2017, nëse dojnë edhe për me herët kthehemi prej kohës kur shefja e grupit parlamentar të LVV e pat shitë distribucionin e KEK-ut për 26.3 milionë euro dhe unë ju premtoj se Grupi Parlamentar i LDK-së do t’i votoj të gjitha komisionet”, theksoi ajo.
Për këtë temë ditën e enjte pati debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Aty Lëvizja Vetëvendosje refuzoi krijimin e një komisioni parlamentar që do të merrej me hetimin e kontratave njëburimore, vlera e të cilave ka shkuar në mbi 20 milionë euro.













