U bëri ftesë opozitës, por përgjigje pozitive mori nga vetëm një parti.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, do të takohet sonte në një darkë pune në Prishtinë, me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Ky i fundit ishte i vetmi që pranoi ftesën e tij për takim, derisa LDK e AAK refuzuan.
E, se si e shohin këtë ftesë e refuzimin nga ana e opozitës, për Gazeta Blic analistët kanë dhënë mendimet e tyre.
Analisti politik, Halil Matoshi, vlerëson se Kurti ka dëshmuar se e urren opozitën dhe mediat dhe i portretizon si njerëz të Vuçiçit.
“Kryeministri Albin Kurti ka dëshmu se nuk e çmon mendimin ndryshe, ai e urren opozitën dhe mediat dhe në kontinuitet ka përhapë tek qytetarët mosbesim ndaj tyre, duke i portretizuar si njerëz të Vuçiç-it”, thekson ai për Gazeta Blic.
Matoshi potencon se Kurtit tani i duhet opozita për ta ruajtur fytyrën për zgjedhje të parakohshme, pa dorëheqje.
“Atij tash i duhet opozita për t’ia ruajtur fytyrën, për zgjedhje të parakohshme, pa dorëheqje. Sepse dorëheqjen e përjeton dorëzim që mund t’i kushtojë në votë”, deklaron Halil Matoshi.
Ndërsa, analisti Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se nuk pret diçka nga ky takim, derisa thotë se Kurti po dëshiron të komunikojë me opozitën për nevoja të tij, ndërsa e injoron atë kur ajo ka nevoja.
“Nuk pres diçka të veçantë, mos tregimi i agjendës, arsyes ka bërë ndoshta që të mos shkojnë në takim LDK dhe AAK/Ramush Haradinaj. Arsyet po ashtu nuk janë bërë publike të takimit. Nuk pres diçka të veçantë në këtë mënyrë të sjelljes së Kurtit, që për nevoja të veta mund të komunikojë e për nevoja të opozitës të injorojë, VV ka injoruar edhe opozitën, shoqërinë civile, botën akademike, këto gjëra e kanë rrënuar shumë seriozitetin e VV përballë strukturave shoqërore dhe sindikale”, vlerëson ai.












