Gazetari Lirim Mehmetaj, thotë se ‘nëse dalin biseda në mes të Mimoza Kusarit dhe Radojçiqit’ dhe jo në rastin kur ajo thotë se ‘u lëshua nga telefoni i Slavko Simiqit’, atëherë Kurti duhet të jap llogari për një komunikim të tillë me armikun e Kosovës.
Mehmetaj, shkruan referuar një statusi të gazetarit Berat Buzhala, i cili njoftoi sot se e ka bisedën në mes të Kusarit dhe Radojçiqit – e cila sipas tij, nuk lë të kuptohet se është sipas versionit që ka deklaruar Kusari-Lila.
Mehmetaj ndërkohë shkruan si më poshtë:
“Kur u mor vesh, përmes incizimeve, që Mimoza Kusari-Lila, kishte biseduar përmes telefonit me Milan Radojiçiç-in, derisa i njëjti ishte në arrati me flet-arrest nga shteti i Kosovës dhe në listë të zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lëvizja Vetëvendosje, qeveria dhe vetë Albin Kurti, nuk u distancuan.
As nuk thanë se nuk komentojnë derisa ta kuptojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht.
Madje, Kurti thoshte se Kusari-Lila si shefe e grupit parlamentar e ka punë komunikimin edhe me Listën Serbe.
Tash, nëse del se Kusari-Lila ka biseduar me Radojiçiç-in, jo veç në rastin kur, sipas saj, ai u lëshua nga telefoni i Slavko Simiç-it, kjo nuk nënkupton veç komunikim të rastësishëm të Kusari-Lilës, por të vet qeverisë së Kosovës.
Nëse veç publikohet një bisedë e tillë, Albin Kurti dhe të gjithë ata që u vunë në mbrojtje të Kusari-Lilës duhet të japin llogari për komunikimin me armikun e Kosovës.
Për kaq shumë vjet, politikanë të ndryshëm janë damkosur veç pse ka ekzistuar dyshim se ata kanë raporte me Radojiçiç-in.
Po tash që mund të kemi jo dyshime, por vërtetim të raporteve nga Lëvizja Vetëvendosje???
Unë për vete asnjëherë nuk kam pasur dyshime se Vetëvendosja është një grup që funksionon për konvenjenca të Serbisë.
Për çfarë motivesh?
Kjo i takon prokurorisë të na e zbardhë”, thotë ai.












