Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nuk beson se është shkelur Kushtetuta me moskonstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, apo me mosvazhdimin e seancës konstituive.
Kurti, pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kushdo që ka dyshime për shkelje kushtetuese mund ta adresojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Kushdo që konsideron se ka pasur shkelje kushtetuese, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e kanë dhënë betimin, ata janë deputetë të Republikës së Kosovës, ndonëse s’ka Kuvend të konstituuar”, tha Kurti.
Ai theksoi se nuk e ndalon dhe as nuk e inkurajon askënd që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por sipas tij, zgjidhja duhet të kërkohet përmes një marrëveshjeje politike.
“Na duhet marrëveshja politike, nuk besoj se po e shkelim Kushtetutën. Kush dyshon për këtë gjë, mund t’i eliminojë dyshimet duke i adresuar çështjet te Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Kurti.
Kreu i LVV-së ka përmendur edhe situatën e vitit të kaluar, duke thënë se konstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ishte bërë pas rreth gjashtë muajsh.
“Prej 9 shkurtit deri më 26 gusht janë më shumë se gjashtë muaj. Tash janë më pak se tre muaj prej zgjedhjeve”, tha Kurti.












