Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vizituar kompaninë turke, Baykar, e cila i prodhon dronët Bayraktar TB-2, disa prej të cilëve Kosova i bleu në verën e kaluar.
Kurti shkroi se Haluk, njëri nga vëllezërit Bayraktar, “mban medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe mirënjohja më e lartë ushtarake në vendin tonë”.
Kurti tregoi se ka parë nga afër edhe prototipin e fluturakes luftarake pa pilot, Kizilelma.
“Baykar është kompani pioniere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit. Ajo është kompania e parë turke që ka prodhuar fluturake ushtarake pa pilot apo dronë, siç njihen. Deri tani është e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2, të cilët i ka në arsenalin e saj edhe ushtria e jonë”, shkroi Kurti në Facebook.
Postimi i plotë:
Baykar është kompani pioniere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit. Ajo është kompania e parë turke që ka prodhuar fluturake ushtarake pa pilot apo dronë, siç njihen. Deri tani është e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2, të cilët i ka në arsenalin e saj edhe ushtria e jonë.
Sot, në ambientet e kompanisë, u mirëprita nga vëllezërit, Bayraktar, Haluk dhe Selçuk. Haluk mban medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe mirënjohja më e lartë ushtarake në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Aty pashë nga afër dhe prototipin e fluturakes luftarake pa pilot të kësaj kompanie, Kizilelma.
















