Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci, është përfolur që një kohë të gjatë për përfshirjen në një aferë financiare në Slloveni. Krahas kësaj, Berishaj është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale në Kosovë për shpëlarje parash. Tash Berisha është bërë sërish i gjallë. Ai është parë në shoqërinë e Boguljub Kariqit, biznesmen kontravers serb, që është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian për lidhjet me presidentin bjellorus, Aleksander Lukashenkon, ndërsa kompania ndërtimore e familjes Kariq është e sanksionuar nga SHBA-ja.
Berishaj dhe Kariqi janë takuar në një organizim në Bosnjë dhe Hercegovinë, të quajtur “Ceremonia e 45-të e çmimeve të menaxherit, kompanisë më të madhe dhe personalitetit të vitit 2024”. Në videon e publikuar në Youtube, Berishaj dhe Kariqi janë të ulur shumë afër njëri-tjetrit, me vetëm një person që i ndan fizikisht.
Gjatë tërë kohës së ceremonisë, Berishaj është parë afër Kariqit, biznesmen me të kaluar të dyshimtë, që është pronar i “BK Group”. Madje, në momentin kur Kariqi çohet në këmbë për ta marrë shpërblimin, Berishaj i buzëqesh në mënyrë miqësore.
Pllakata për Berishën
Ambasadori i Kosovës është shpërblyer për kontributin e tij në fushat e arsimit, shkencën dhe kulturës. Për këtë pllakatë kishte shkruar vetë Berishaj në profilin e tij në “Facebook”, duke dhënë detaje për mirënjohjen me të lartë të Agjencisë së Pavarur, Shoqatës Evropiane të Menaxherve dhe Revistës EuroManager.
Megjithatë, Berishaj nuk e kishte përmendur fare praninë e Kariqit në këtë ceremoni, ashtu siç e kishte fshehur në shumicën dërrmuese të fotove, përveç në njërën, ku shihet vetëm gjysma e fytyrës së Kariqit.
“Sonte në ceremoni solemne në prani të autoriteteve më të larta shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, ministrave te jashtëm të Evropës juglindore dhe qëndrore, profesorëve universitarë, dhe akademikëve të mirënjohur, në Hotel Holidayn në Sarajevë, sipas vlerësimit të jurisë së pavarur evropiane, më është ndarë çmimi më i lartë, i titulluar “PERSONI EVROPIAN I VITIT” – PLLAKË E ARTË për punë shumëvjeçare, jashtëzakonisht të suksesshme në fushën e shkencës dhe arsimit, veçanërisht për lidhjen rajonale dhe promovimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në kuadrin evropian dhe botëror”, kishte shkruar Berishaj për këtë ceremoni.
Në shkrimin e tij, Berisha nuk kishte përmendur edhe një fakt tepër të rëndësishëm. Berisha ishte shpërblyer me këtë pllakatë së bashku me Zoran Gjorgjeviqin, ish-ministër i Mbrojtjes i Serbisë në vitet 2016-2017 dhe aktualisht drejtor i përgjithshëm i Postës së Serbisë.
Për dallim nga Kariqi dhe Gjorgjeviqi, Berishës nuk iu ofrua mundësia për të folur në këtë ceremoni.
Kush është Kariqi?
Boguljub Kariqi është biznesmen me të kaluar të dyshimtë, i cili u bë i pasur gjatë kohës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ish-president autoritar serb, i njohur gjerësisht si “Kasapi i Ballkanit”. I lindur në Pejë, pasuria e Kariqit llogaritet të përfshijë kompani të ndryshme të ndërtimit, telekomunikacionit, tregtisë e fusha të tjera.
Kompania ndërtimore e familjes Kariq, “Dana Holdings Limited (Dana Holdings)”, e udhëhequr nga djali i Kariqit, Nebojsha Kariq, është e sanksionuar nga Thesari i SHBA-së.
“Dana Holdings Limited (Dana Holdings) është një firmë e regjistruar në Qipro me lidhje me familjen Karic të Serbisë, e cila u ngrit në famë duke financuar sundimin e Slobodan Millosheviçit në vitet 1990. Familja Karic konsiderohet e afërt me Lukashenkën; për shembull, Dana Holdings dyshohet se u ofroi punonjësve një ditë pushimi për pjesëmarrje në një tubim pro-Lukashenkës pas zgjedhjeve mashtruese të 9 gushtit 2020, është shfaqur në fletushka pro-Lukashenka dhe strehon një galeri arti të drejtuar nga nusja e Lukashenkës -ligji në një qendër tregtare në Minsk. Shtetasi serb dhe qipriot Nebojsa Karic luan një rol udhëheqës në kompani”, thuhej në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit.
Ndërsa vetë Kariqi është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian, bllok që e akuzonte për lidhjet financiare me Aleksander Lukashenkon, president i Bjellorusisë, që konsiderohet si “diktatori i fundit në Evropë”./Nacionale