Kur ka mbetur thuajse edhe një vit deri në fushatën zgjedhore për zgjedhje lokale në Kosovë, kanë nisur zhvillime politike brenda partive në lidhje me kandidaturat e mundshme.
Burime të Veriu info brenda strukturave të PDK-së në Vushtrri, bëjnë të ditur se kryetari aktual i komunës ka shumë gjasa të mos jetë kandidat për kryetar komune nga kjo partie.
Siç mëson Veriu info, ish komandanti dhe gjenerali që ka aderuar në PDK, Rrahman Rama, pritet të propozohet nga një pjesë e strukturave partiake si kandidat për kryetar komune në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
“Jemi të pakënaqur me kryetarin Ferit Idrizi për shkak të favorizimit të njerëzve të LDK-së nëpër pozita kyqe. Ai sikur mos me dashtë Hashim Thaçin e Kadri Veseli, non stop ia mban zhagun Albin Kurtit nëpër takime. Duke e pas parasysh kontributin e tij në UÇK, TMK e FSK, mendoj se Rrahman Rama është personi i duhur për kryetar të Vushtrrisë, ku jemi bërë një grup i madh që jemi të gatshëm ta propozojmë në Kuvendin e degës”, ka thënë një burim i VeriuInfo nga strukturat e PDK-së në kushte anonimiteti.
Veriu info ka kontaktuar edhe disa zyrtarë të PDK-së, të cilët nuk kanë dashur të prononcohen publikisht, por kanë thënë se janë të pakënaqur me kryetarin Ferit Idrizi, për të cilin thojnë se nuk ka kurrfarë ndjenje për PDK-në./VeriuInfo











