Kenan Gashi nga AVONET ka reaguar lidhur me pikën e gjashtë të rendit të ditës në seancën e ardhshme të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, ku parashihet votimi i propozim-vendimit për këmbimin e ngastrave kadastrale 2435-1 dhe 2435-2, në Zonën Kadastrale Ferizaj, pronë private, me një pjesë të ngastrës 180-10, në Zonën Kadastrale Talinoc i Jerlive, në pronësi të Komunës së Ferizajt.
Gashi ka ngritur pikëpyetje lidhur me arsyetimin e këtij këmbimi dhe interesin publik që, sipas tij, duhet të dëshmohet para se të merret një vendim i tillë.
“Prona publike nuk është pronë private. Keqpërdorimi i pasurisë publike mund të ndodhë edhe kur jepet tokë komunale pa një arsyetim të qartë, pa transparencë dhe pa u dëshmuar interesi publik”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, prona private që propozohet të merret ndodhet afër objektit të Komunës së Ferizajt, në hapësirën ku ndodhet objekti i KEDS-it, ndërsa në këmbim Komuna do të japë një sipërfaqe në pronësi publike.
Gashi ka kërkuar sqarime se cili është interesi i Komunës për të dhënë pronë publike në këmbim të një prone private, duke ngritur një sërë pyetjesh lidhur me procesin.
Ai ka kërkuar të bëhet e ditur pse po kërkohet ky këmbim, kush përfiton nga ai, sa është vlera reale e të dyja pronave dhe kush i ka bërë vlerësimet.
Po ashtu, Gashi ka kërkuar informacione nëse është bërë analizë e interesit publik, pse është përzgjedhur pikërisht kjo pronë private, nëse janë shqyrtuar alternativa të tjera dhe nëse procedura është zhvilluar në mënyrë transparente dhe të barabartë.
“Prona komunale është pasuri e qytetarëve, jo pronë e pushtetit. Ajo duhet të menaxhohet me ligjshmëri, transparencë dhe vetëm në interes të përgjithshëm”, ka theksuar ai.
Gashi ka kërkuar që para votimit të bëhen publike dokumentet, vlerësimet dhe arsyetimi i plotë i këtij propozimi.
“Interesi publik nuk dëshmohet me votë, por me fakte, transparencë dhe një përfitim të qartë për qytetarët”, shkroi ai.













