Ura e Ibrit është kthyer në temë kryesore diskutimi ditëve të fundit.
Kjo për shkak të paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj për makina.
Mirëpo, ideja e qeverisë nuk është përkrahur nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës (Quint e BE).
Zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Peter Stano, ndonëse e pranon se urat janë për bashkim të njerëzve, thotë se ajo e Ibrit është “çështje shpërthyese dhe problematike”. Prandaj, thotë ai, duhet të zgjidhet përmes dialogut.
“Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit. Fatkeqësisht, situata që kemi në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike. Prandaj kemi thënë gjithmonë se është një çështje shpërthyese, një çështje problematike dhe si të gjitha çështjet problematike duhet të zgjidhet me dialog. Sepse nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”, ka thënë Stano në një intervistë për median serbe N1.
Ai tha se javën e kaluar, të gjithë miqtë e Kosovës (Bashkimi Evropian, Quint-i), shkuan te kryeministri Albin Kurti dhe i thanë: “Mos e bëj këtë, mos bëj lëvizje të njëanshme, mos e hap urën”.












