Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Igor Markoviqit, i cili dyshohet për përfshirje në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023 në Zveçan.
Sipas njoftimit të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se Markoviq ka kryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa më e përshtatshme në këtë fazë të procedurës, për shkak të rrezikut që i dyshuari të arratiset me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale.
Në arsyetimin e saj, gjykata ka theksuar se Markoviq është shtetas i Serbisë, rrethanë që, sipas saj, rrit rrezikun e largimit të tij dhe bërjes së paarritshëm për organet e drejtësisë.
Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që i dyshuari të ndikojë te dëshmitarët ose provat dhe në këtë mënyrë të pengojë zhvillimin e procedurës penale.
Për këtë arsye, Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se, në këtë fazë të procedurës, paraburgimi mbetet masa e vetme që garanton zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Igor Markoviq dyshohet për përfshirje në sulmet e majit 2023 në Zveçan, ku u sulmuan pjesëtarë të KFOR-it dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.













