Bashkimi i tyre bëri që për herë të parë në historinë politike të Kosovës së pas 2008-tës një koalicion parazgjedhor të fitojë mbi 50% të votës popullore në zgjedhje.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani u bënë bashkë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 në emër të kauzës politike kundër sistemit siç e quanin ata, regjimi i vjetër 20 vjeçar.
Por kur kanë kaluar më shumë se 3 vite bashkëdrejtim institucional, njëri në qeveri e tjetra në presidencë, raportet Kurti-Osmani janë larg atyre që ishin në fillim.
Së fundi presidentja Vjosa Osmani mblodhi krerët e partive politike për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve të reja të rregullta parlamentare, e aty ishin të gjithë përveç kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, shkruan Veriu.info.
Presidenca refuzoi pjesëmarrjen e Glauk Konjufcës me argumentin se takimi ishte në nivel kryetarësh.
Pse Kurti nuk shkoi nuk dihet, por u raportua se ai gjendej atë ditë në Kosovë.
Ndoshta ky ishte edhe një mesazh tjetër i Kurtit për Osmanin dhe raportet e tyre jo të mira që mund të lidhen me zhvillimet e fundit politike në vend.
Sot u raportua se Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar letër presidentes ku i kërkon si datë të zgjedhjeve të reja 2 shkurtin, për dallim nga opozita që ka kërkuar 26 janarin 2025.
Mbetet në diskrecionin e presidentes caktimi i zgjedhjeve të reja, por a do t’i nënshtrohet edhe njëherë presidentja preferencës së Kurtit?!
Ndoshta ky është momenti i presidentes që t’i tregojë “dhëmbët” Kurtit, duke injoruar kërkesën e tij për datën 2 shkurt, që duket se ka mesazh politik që nuk bëhet bashkë në asnjë kërkesë me opozitën, e cila ka kërkuar 26 janarin.
Cilido qoftë vendimi, ajo që dihet është se zgjedhjet e rregullta do të mbahen në fillimvit, e na mbetet të shohim nëse Guxo e krijuar nga Osmani do të jetë krah i Vetëvendosjes, apo do të lëviz nga pozicioni aktual politik.













