Xhavit Haliti, një prej figurave të hershme të organizimit politik e ushtarak të shqiptarëve ndaj regjimit jugosllav dhe më pas pjesëmarrës në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka rrëfyer për një pjesë të historisë së luftës, duke e shpalosur një letër të rrallë.
Bëhet fjalë për një letër të shkruar nga një prej luftëtarëve më të njohur të UÇK-së, dëshmori Bekim Berisha – Abeja, të cilën Haliti e ka publikuar për herë të parë, 28 vjet pas rënies së tij.
Në këtë letër, Abeja flet me vlerësim të veçantë për punën që po bënin Xhavit Haliti dhe Azem Syla në organizimin e UÇK-së, duke përshkruar njëkohësisht vështirësitë, rrezikun dhe presionin e madh nën të cilin zhvillohej kjo veprimtari.
Letra, sipas Halitit, është një dëshmi personale e njërit prej luftëtarëve më të shquar të UÇK-së për vështirësitë që shoqëronin organizimin e luftës dhe përkushtimin e njerëzve që, në atë kohë, vepronin në kushte të jashtëzakonshme.
Në pjesën e publikuar nga Haliti, Abeja e nis vlerësimin e tij si një qëndrim personal, duke theksuar se nuk do të kishte mundur ta përballonte punën që bënin Haliti dhe Syla.
“Vlerësimi i lirë personal. Nuk kisha mundur as psikikisht e as fizikisht të përballoj punën e zotërinjve Zeka dhe Daja (Xhavit Halitit dhe Azem Sylës). As një javë.”
Më tej, në letër, Abeja përshkruan punën e tyre si jashtëzakonisht të vështirë dhe të rrezikshme, duke shprehur habinë se si ata arrinin të përballonin rrethana të tilla për një kohë të gjatë.
“Shumë e vështirë, e rrezikshme, shumë e mundimshme dhe, vëlla, çuditem dhe turpërohem dhe e pyes veten: ‘O Zot, se çfarë nerva kanë dhe si i përballojnë rrethanave të tilla e nuk janë çmendur ende.’”

Në fund të kësaj pjese të letrës, Abeja shpreh edhe një ndjenjë personale shqetësimi për vështirësitë me të cilat përballeshin bashkëpunëtorët e tij.
“Më vjen gjynah shumë.”
Dokumenti merr rëndësi të veçantë për shkak të autorit dhe kohës kur është shkruar. Bekim Berisha, i njohur me nofkën “Abeja”, ishte një nga figurat e njohura të luftës së UÇK-së dhe ra dëshmor gjatë luftës në Kosovë.
Përmes kësaj letre, ai nuk flet vetëm për rrethanat në terren, por edhe për punën e fshehtë dhe të rrezikshme të organizimit, e cila zhvillohej larg vëmendjes publike.
Letra e shkruar me dorëshkrimin e Bekim Berishës – Abeja paraqet një dëshmi personale të kohës dhe të vështirësive me të cilat përballeshin ata që ishin të angazhuar në organizimin e luftës.
Letra me dorëshkrimin e heroit të kombit, Bekim Berisha “Abeja”, publikohet për herë të parë pas 28 vitesh nga rënia e tij, nga Xhavit Haliti për “Demos“.













