Kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka njoftuar se sot ka kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që ta njoftojë Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e Kuvendit të Komunës së Drenasit sot e 71 ditë.
Lladrovci përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka kërkuar të shpërbëhet Kuvendi i Drenasit, dhe mandati t’i kthehet qytetarit me zgjedhje të reja
“Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit, është në mandatin e Qeverisë ta shpërndajë Kuvendin e Komunës së Drenasit dhe legjitimiteti të kthehet te qytetari. Kam konstatuar se me mosfunksionimin e Kuvendit, është rrezikuar buxheti i Komunës, bartjet e mjeteve buxhetore për realizimin e shumë projekteve kapitale, rrjedhimisht papërgjegjshmëria e Kuvendit po rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve të komunës së Drenasit.” – ka shkruar Lladrovci.
“Kanë kaluar 71 ditë, pa u mbajtur asnjë mbledhje e Kuvendit, ndërsa kanë kaluar 43 ditë nga kthimi i ligjshmërisë së vendimit nga MAPL për shkarkim të Kryesuesit të Kuvendit dhe asnjë veprim nuk është ndërmarr nga Kuvendi për zgjedhje të Kryesuesit.”
“Në përputhje me nenin 50, paragrafi 50.3, të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale dhe nenit 37.11 të Statutit të Komunës së Drenasit, nr. 01-110-6904, pres që MAPL ta njoftojë Qeverinë për mosfunksionimin e Kuvendit, në mënyrë që Qeveria të shpërndajë Kuvendin e Komunës së Drenasit dhe të shpallen zgjedhje për Kuvend të ri.”
“Pengimi i punës së ekzekutivit të komunës së Drenasit, pres të marrë fund, njëherësh, qytetarët të zgjedhin përbërje tjetër kuvendore që angazhohen për zhvillimin e komunës së Drenasit dhe përfaqësojnë realisht interesin qytetar.” – ka shkruar ai ndër të tjera.












