Kandidati për kryeministër nga PDK Bedri Hamza përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka komentuar për caktimin e datës së zgjedhjeve nga Presidentja Osmani, raporton Veriu.info.
“Është koha për të besuar në të ardhmen tonë dhe për t’u angazhuar që 9 shkurti 2025 të jetë dita kur fillon një kapitull i ri për Kosovën”, shkroi ai ndër tjerash.
Postimi i plotë:
Sot, Presidentja e Republikës ka shpallur datën e zgjedhjeve parlamentare, 9 shkurtin 2025, ditë që do të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të vendit tonë.
Unë besoj fuqishëm në kapacitetin tonë për t’u ngritur mbi çdo pengesë dhe për ta ndërtuar shtetin modern, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Nominimin për Kryeministër e kam pranuar që të udhëheq me përgjegjësi, transparencë e ndershmëri, duke përfaqësuar interesat tuaja dhe duke i vënë nevojat e qytetarëve në qendër të çdo vendimit tim.
Kjo është një rrugë që nuk mund ta përshkoj i vetëm. Prandaj, ju ftoj të gjithëve të bashkoheni me mua për ta ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të bashkuar dhe më të drejtë. Së bashku mund të bëjmë ndryshimin që kemi pritur.
Është koha për të besuar në të ardhmen tonë dhe për t’u angazhuar që 9 shkurti 2025 të jetë dita kur fillon një kapitull i ri për Kosovën.













