Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, si rrallë herë i ka dalë në mbrojtje ish-bashkëpartiakes së saj, presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, teksa ka sulmuar mediat në lidhje me lajmin për vrasjen në dasmë në Bibaj të Ferizajt.
Në një postim në Facebook, ministrja e Jashtme e Kosovës, ka pretenduar se “Buzhala dhe kategoria e tij, sikur të kishin qenë duke e pritur këtë tragjedi, raketat e sulmit i paskan drejtuar me nxitim kah presidentja e Republikës së Kosovës”.
“Ende pa u fshirë mirë gjurmët në vendin e ngjarjes dhe pa dalë policia as me një version fillestar të vrasjes së djeshme, Buzhala dhe kategoria e tij, sikur të kishin qenë duke e pritur këtë tragjendi, raketat e sulmit i paskan drejtuar me nxitim kah Presidentja e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.
“Kjo nuk është as fushata e parë dhe fatkeqësisht as e fundit e pikërisht kësaj kategorie kundër institucioneve të Republikës. Do të shpenzohet dhe venitet ashtu si të tjerat para saj dhe tek qytetarët e Kosovës do të lërë neverinë për nivelin dhe metodat”, ka shkruar ajo.













