Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), që me zbatimin e vendimit të ligjit të pagës minimale i bie që pagat të rriten për 6.8 euro.
Bajrami, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka përmendur rritjet që kanë ndodhur në këtë qeverisje.
“Rryma mbi 100%, tatimi në pronë rreth 100%, çmimet rreth 50%, pagat 1.5% (450 euro pagë), ka shkruar ajo.
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se nga muaji shtator secili i punësuar që e ka një shumë të caktuar të rrogës mujore/vjetore duhet të marrë nga 6.8 euro më shumë në pagë.
Ky vendim i ATK-së vjen pas hyrjes në fuqi të ligjit për pagë minimale, deri tani kushdo që kishte pasur pagë mbi 250 deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, e ka mirëpritur këtë vendim duke thënë se zyrtarisht është rritur paga minimale pas më shumë se një dekade.
Murati ka sqaruar se tashmë paga minimale është liruar nga tatimi dhe secili i punësuar do të paguaj më pak tatim.
“Një ndryshim tjetër me rëndësi, dhe njëkohësisht edhe përmbushje e njërit nga premtimet tona, është që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi”.
“Pra, me ndryshimin e shkallëve tatimore, vlera e pagës që lirohet nga tatimi rritet në 250 euro (nga 80 sa ishte). Me fjalë tjera, të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi”.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas këtij vendimi.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës për Ligjin për paga minimale, që ishte dërguar nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për vlerësim.













