Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka publikuar një adresim lidhur me situatën politike në vend, duke bërë të ditur se LDK-ja do të vazhdojë të mbetet në opozitë.
Abdixhiku ka thënë se partia e tij është e gatshme të hyjë në bisedime për zgjedhjen e një presidenti jopartiak, i cili, sipas tij, do të mbronte interesat e Republikës së Kosovës.
“Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se LDK-ja nuk kërkon asnjë pozitë apo përfitim politik në këmbim të këtij qëndrimi.
Kreu i LDK-së ka kërkuar gjithashtu që të mos ketë më vonesa në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
“Nga ky moment askush nuk ka arsye dhe të drejtë që të vonojë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe nisjen e bisedimeve për presidentin”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK-ja do të mbetet në rolin e opozitës, por se është e hapur për dialog institucional për çështjen e presidentit.












