Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se javën e ardhshme do të formohet një grup ekspertësh që do të merret me çështjen e ndërtimit të një hidrocentrali pranë Ribariqit.
“Do të shihni se këtë e kishte kërkuar dikur Komuna e Novi Pazarit, këtë e kishte kërkuar, nëse nuk gaboj, Këshilli Boshnjak apo ndonjë organizatë e tillë, për shkak të ndërtimit të një hidrocentrali të vogël pranë Ribariqit, ashtu siç edhe kam thënë”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për të komentuar faktin se BE-ja nuk është deklaruar lidhur me pretendimet për rrahjen e Nenad Rashkoviqit, ndërsa reagon ndaj deklaratave të tij për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër.
Vuçiq shtoi se ekziston edhe dokumentacioni paraprak projektues për projektin e hidrocentralit të vogël pranë Ribariqit.
“Ekziston një dokumentacion paraprak projektues, por së shpejti, tashmë javën e ardhshme, do të formohet një grup ekspertësh që do ta shqyrtojë të gjithë këtë dhe do të merret me këtë çështje”, tha Vuçiq gjatë vizitës në kompaninë “Ukras” në Veliki Popoviq, pranë Despotovcit.











