Reagimet e VV-së kundër drejtësisë për rastin e deputetes, Jetmire Vrenezi, ku është dënuar sot me tri vjet burg dhe 2 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prizren për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i kanë quajtur tendencë për ndërhyrje në organet e drejtësisë.
Kështu deklaroi avokati, Skender Musa, i cili në një prononcim për GazetaBlic u shpreh se, personat zyrtar të partive politike duhet të jenë të vetdijshëm për çdo shkelje apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, që do të ndiqen penalisht.
“Reagimi i partive politike kundër vendimit të Gjykatës pa asnjë dyshim është përpjekje për ndërhyrje në pavarësinë e organeve të drejtësisë.
Çdo person i akuzuar në RKS akuzohet dhe gjykohet për veprime individuale e jo për veprimet e partisë politike, prandaj personat zyrtar që janë pjesë e partive politike duhet të jenë të vetdijshëm që përgjegjësia penale është individuale dhe për çdo shkelje apo keqperdorim të detyrës zyrtare, përgjigjen penalisht”, tha ai.
Musa i quan të gabuara reagimet e partisë në pushtet, teksa cek faktin se organeve të drejtësisë nuk i intereson se në cilën parti është i akuzuari dhe vendimi merret në prova dhe ligj.
“Partia politike nuk duhet të ndërhyjë në asnjë formë, sepse nuk është palë në proces dhe organeve të drejtësisë nuk u intereson se në cilën parti është i akuzuari, por vendimin e tyre duhet ta bazojnë në prova dhe ligj.”
Në anën tjetër, avokati Musa apelon që mos të paragjykohet ky rast në mënyrë që Gjykata të mos ketë presion politik. Ai edhe njëherë përmend Lëvizjen VetëVendosje ku thotë se nuk mundet të ndihmojë dhe as të pengojë Gjykatën, sepse pavarësinë e tyre e garanton vetëm Kushtetuta e Kosovës.
“Vendimi nuk është përfundimtar dhe nuk duhet paragjykuar rasti, si dhe nuk duhet të politizohet, në mënyrë që gjykata të mos ketë presion politik por, edhe të mos dëmtohen interesat e të akuzuarit në procedurë penale. VV-ja nuk mundet me ndihmu asgje dhe natyrisht as me pengu, sepse Gjykatat janë të pavarura dhe pavarësinë e tyre e garanton Kushtetuta e vendit tonë”, përfundoi Musa.
Dënimin e deputetës së VV-së, Jetmire Vrenezi dhe reagimet e kësaj partie i ka komentuar edhe avokati, Fanol Krasniqi.
Për këto reagime, Krasniqi kishte një përgjigje të shkurt: “Në qoftë se VV reagon kundër gjykatës, atëherë reagon kundër vetvetes!”, tha Krasniqi për GazetaBlic.












