Gjatë një interviste në RTV 21, Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovës, është pyetur në lidhje me vendimin për nisjen e punës për themelimin e një fabrike të municionit nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Rohde ka deklaruar se nuk ishte në dijeni për këtë temë.
“Jo, por unë nuk duhet të jem në dijeni për secilin vendim të qeverisë së Kosovës. Për ne Kosova është një shtet sovran dhe unë nuk e komentoj këtë. Ne jemi një partner i ngushtë i Kosovës. Ne e mbështesim, siç… dje … jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, me Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe së shpejti gjithashtu do të nënshkruajmë një memorandum mirëkuptimi, por nuk kam ndonjë koment për këtë” – ka thënë Rohde.
Tutje, Rohde ka vlerësuar se gjatë fushatës lirohen shumë emocione.
“Kur jemi në fushatë zgjedhore, lirohen shumë emocione, merren vendime shpesh për të ndikuar tek elektorati. Ky, përndryshe, do të ishte komenti im i vetëm” – ka thënë ai.