Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka reaguar pas zgjedhjes së nipit të Besnik Bislimit, Gëzim Tosuni dhe gruas së Liburn Aliut, Lumnije Zeka në Bordin e KOSTT-it.
Ai ka risjellur deklarimin e kryeministri, Albin Kurti, kur thoshte se familjarët janë për dasma.
“Këto emërime jo vetëm që janë një dëm i hapur për demokracinë, por po e shkatërrojnë edhe një nga agjencitë më të rëndësishme dhe profesionale që ka pasur Kosova — KOSTT-in.” – ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
Shkrimi i tij:
Familjarët janë për dasma Kryeministër, apo ndoshta ke harruar?!
Emërimet e fundit në Bordin e Drejtorëve të KOSTT-it, me Lumnije Zekën, bashkëshorten e Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe Gëzim Tosunin, nipin e Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, janë një tjetër dëshmi e pakapërcyeshme e klientelizmit dhe nepotizmit që po dëmton gjithçka në shtetin tonë.
Këto emërime jo vetëm që janë një dëm i hapur për demokracinë, por po e shkatërrojnë edhe një nga agjencitë më të rëndësishme dhe profesionale që ka pasur Kosova — KOSTT-in.
KOSTT ka qenë një nga agjencitë më të suksesshme dhe me reputacion të shkëlqyer derisa pushteti nuk futi njerëzit joprofesionistë për ta udhëhequr atë.
Edhe me këto punësime sot, ky institucion po shndërrohet në një mjet politik për shpërblim të lidhjeve familjare dhe partiake, duke e vënë në rrezik misionin e tij dhe integritetin e sektorit të energjisë në Kosovë.
Të emërosh individë që janë të lidhur ngushtë me përfaqësues të pushtetit, është një veprim që vetëm sa e dëmton besimin e qytetarëve dhe e kthen këtë institucion nga një model profesional në një skenë të klientelizmit të pastër.
Kosova ka nevojë për një ndryshim urgjent.
Ka nevojë për institucione që i shërbejnë qytetarëve dhe jo pushtetit, për institucione të pavarura, të afta dhe të paanshme.
Ndryshimi po vjen.
Më 9 shkurt, qytetarët duhet të zgjedhin ndryshimin.













