Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka shqiptuar dy gjoba ndaj subjektit afarist “RIGA PHARM” Sh.P.K., pasi ka konstatuar shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit lidhur me mos përputhshmërinë e çmimeve mes rafteve dhe arkës fiskale.
Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Insajderi, kompania është gjobitur në dy raste të ndryshme për njësinë e saj në Prishtinë dhe atë në Podujevë.
Gjoba prej 1,000 eurosh në Prishtinë
Në vendimin e datës 13 maj 2026, Inspektorati i Tregut ka shqiptuar gjobë prej 1,000 eurosh ndaj “RIGA PHARM” Sh.P.K. (njësia Nr. 68 në Prishtinë).
Pas ankesave të konsumatorëve dhe inspektimit të kryer më 12 maj 2026, Inspektorati ka konstatuar se për produktin “Cuc Mashtruese 18+”, çmimi i ekspozuar në raft / produkt kishte qenë 8.90 €, ndërsa në arkën fiskale produkti është arkëtuar me çmim prej 9.90 €.
Inspektorati ka vlerësuar se ky veprim përbën shkelje të neneve 26 (paragrafët 7 dhe 8) të Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, sipas të cilëve nuk lejohet asnjë ndryshim mes çmimit të deklaruar/publikuar në rafte dhe atij që paguhet në arkën fiskale.


Gjoba prej 500 eurosh në Podujevë
Përveç Prishtinës, Inspektorati ka marrë vendim edhe më 28 prill 2026 ndaj njësisë nr. 60 të “RIGA PHARM” në Podujevë.
Inspektimi i kryer më 23 prill 2026, pas ankesës së konsumatorit dhe dëshmive të prezantuara (kuponit fiskal dhe fotografive të çmimeve), ka zbuluar se produkti “ATENZIO PLUS 80+12.5 MG” kishte pasur çmimin prej 2.41 euro të vendosur nga AKPPM/operatori në raft, por në kuponin fiskal të datës 23.03.2026 është llogaritur me çmim prej 4.44 euro.
Për këtë shkelje të nenit 26 (paragrafët 7, 8 dhe 9) të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ndaj operatorit ekonomik është shqiptuar gjobë në shumën prej 500 eurosh.


Lidhur me këto dy vendime të Inspektoratit të Tregut, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe përfaqësuesit e kompanisë “RIGA PHARM” për të marrë versionin e tyre dhe një sqarim rreth këtyre shkeljeve të konstatuara, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, kompania nuk ktheu ndonjë përgjigje.
LEXONI EDHE:
Përplasen Dejona Mihali e Hykmete Bajrami- Shkak firma ‘Riga Pharm’

















