Kryeministri Albin Kurti sot bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, si dhe zëvendësin e Aliut, Hysen Durmishi, prenë shiritin e punimeve në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë.
Aty Kurti u pyet nga gazetarët mbi cilësinë e punimeve ku u tha se nga ajo që mund të shihet se trotuaret nuk janë të përfunduara dhe se anësoret e rrugës janë valë-valë, të panivelizuara”.
Në përgjigje, Kurti tha se kjo është çështje teknike dhe se s’është aty për të aprovuar punimet e rrugës.
“Ndoshta më së miri është me folë ministri e zëvendësministri se janë çështje teknike. Unë këtu erdha për inaugurim, nuk erdha për ta aprovuar herën e tretë valët e asfaltit që po i aludoni ju. Tash do të shkojmë drejt t’i takojmë edhe punëtorët pak, por për këtë aspekt ndoshta mundet pak [zëvendësministri]”, tha Kurti.
Po ashtu, ai përmendi edhe “të kaluarën” se si janë prerë shiritat e rrugëve.
“Ne pas prerjes së shiritit ne ecim në rrugë, jo përpara se ashtu ka qenë në të kaluarën. Në të kaluarën domethënë së pari zbatimi i cili nuk kryhej e në fund planifikimi. Tash është planifikim, prerja e shirit dhe e shohim a ka valë a s’ka valë. Por për këtë gjë flet zëvendësministri”.
Ndërkaq, zëvendësministri Durmishi tha se një kompani ndërkombëtare e menaxhon krejt projektin dhe “e mbikëqyrë edhe kualitetin”.