Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka thënë se është hera e parë që FBI, sipas informacioneve të tij, i jep ndihmë institucioneve të Kosovës në rastet ku dyshohet se ka gisht Serbia.
Bëhet fjalë për sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit, ku mbrëmjen e së premtes ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier dha informatën ekskluzive në Klan Kosova se FBI po merret me hetimet e këtij akti.
“Me sa e di unë është hera e parë që hetuesit e FBI-së iu ndihmojnë institucioneve të Kosovës në rastet ku dyshohet se ka pasur gisht Serbia, apo struktura të caktuara të Serbisë, në krahasim me rastin e njohur të Banjskës, ku personalisht mendoj se atëherë do të duhej që Kosova vet të kërkonte hetime ndërkombëtare”, tha Ramadani në emisionin “Info Magazine”.
Tutje, Ramadani shton se FBI jo vetëm që është njëra prej institucioneve hetuese më të mira në botë, por ekspertiza e saj dhe pajisjet që posedon i hyjnë në ndihmë shumë Kosovës.