Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Prishtinë, ku një 30-vjeçar ka humbur jetën pas rrëzimit të një lisi në lagjen Pejton. Ndërsa gruaja që mbijetoi u dërgua në Qendrën Klinike Universitare për trajtim, për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar.
Mjeku kujdestar në Emergjencë, Ejup Govori ka bërë të ditur për Sinjalin se 36-vjeçarja ka lëndime serioze në të gjitha pjesët e trupit, por është jashtë rrezikut për jetë.
Govori njoftoi se janë duke u bërë konsulta me specialistët, të cilët do të vendosin nëse e lënduara do t’u nënshtrohet intervenimeve të caktuara.
“Gjendja stabile, për momentin është me vetëdije, por lëndimet janë serioze. Ka lëndime në të gjitha pjesët e trupit, në kokë, në eshtrat e fytyrës, në unazën e qafës, lëndime në gjoks, në bosht kurrizor, si dhe lëndime në këmbë. Me gjasë do t’iu nënshtrohet intervenimeve, por tash secili specialist e analizon gjendjen.”
Lajmin për vdekjen e 30-vjeçarit e konfirmoi edhe Policia e Kosovës dhe njoftoi se po ndërmerr të gjitha veprimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, u bëri thirrje qytetarëve që t’i shmangin pjesët e qytetit që kanë drunj.
“Ekipet tona të shpëtimit janë në terren dhe po merren me rastet e aksidenteve”, tha ai përmes një postimi në Facebook.












