Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ia ka dërguar një letër presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, me rastin e ditës së shtetësisë.
Vuçiq nuk ka hezituar dhe ka filluar mburrjen me këtë letër duke e postuar të njëjtën në rrjetin e tij social, Instagram.
Në letrën e dërguar nga presidenti i ShBA-ave, Trump e falënderon Vuçiqin për angazhimin për paqen në botë, teksa pret investime të reja të ndërsjella.
“I nderuari President Vuçiq, në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju shpreh juve dhe qytetarëve të Serbisë urimet e mia më të sinqerta me rastin e Ditës së Shtetësisë. Unë pres që të forcojmë më tej partneritetin tonë, duke u mbështetur në lidhjet gjithnjë e më të forta midis vendeve tona, për të kontribuar së bashku në siguri dhe prosperitet më të madh për qytetarët e Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Jam i kënaqur me bashkëpunimin tonë gjithnjë e më intensiv dhe mundësitë e reja për investime të ndërsjella në sektorë të rëndësishëm si teknologjia dhe energjia. Ne e vlerësojmë shumë kontributin e rëndësishëm të Serbisë në sigurinë ndërkombëtare, pavarësisht nëse ajo po mbështet popullin e Ukrainës në mbrojtjen e tyre kundër agresionit rus apo kontributin e Serbisë në misionet e shumta paqeruajtëse në mbarë botën”, thuhet në letrën e presidentit Trump.
Mes të tjerash, Trump ka zgjedhur të flas edhe për Ballkanin Perëndimor në këtë letër, ku thuhet se ai do të punojë për stabilitet dhe zhvillim ekonomik në këtë pjesë.
“Në vitin e ardhshëm, pres me padurim përpjekjet e përbashkëta për të çuar përpara stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht integrimin e vazhdueshëm të Serbisë në hapësirën euro-atlantike, si dhe përpjekjet e saj për të promovuar marrëdhënie paqësore dhe prosperuese me fqinjët dhe partnerët e saj në rajon”, thuhet në letrën e Trump.