Komuna e Vushtrrisë me aktivitete të shumta ka shënuar 17 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bashkë me kabinetin qeveritar, përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh tek përmendorja e Dëshmorëve në Vushtrri, tek përmendorja e Martirëve dhe në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit në Bletaj.
Me pas, përvjetori i 17-të i Pavarësisë së Kosovës u shënua edhe përmes një akademie solemne, ku festën e madhështoi programi i pasur artistik me këngë popullor nga Ansambli “Hasan Prishtina” dhe vallet popullore nga nxënësit e shkollës SHMU-2.
Në këtë përvjetor të Pavarësisë, përmes një ekspozite me fotografi u rikthye në kujtesën tonë Vushtrria e vjetër, ku mjeshtërisht u ekspozuan fotografitë e realizuara ndër vite nga fotografi vushtrrias Nesim Ispahiu, ndërsa ekspozita është kuruar nga drejtoresha e Muzeut të Vushtrrisë, Shukrane Begu.
“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë🇽🇰”, tha kryetari i Komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi.












