Organizatori i festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, sot ka reaguar për ndryshimin e lokacionit të festivalit nga Prishtina në Tiranë.
Në postimin e tij në Facebook, Lipa ka deklaruar se janë peng i politikbërjes në kurriz të festivalit dhe të rinjve të Kosovës, duke akuzuar këtu edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për zvarritjen e procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.
Por, Dukagjin Lipa nuk ishte shprehur kaq i zhgënjyer me institucionet e vendit në fund të vitit 2021, kur edhe ishte takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një postim nga takimi me Kurtin që e kishte bërë në Instagram më 20 shtator të vitit 2021, Dukagjin Lipa kishte thënë se ka qenë “takim nga i cili nuk do të donte të largohej”.
“Takimi nga i cili nuk doja të largohesha. Faleminderit Kryeministër Albin Kurti, për mbështetjen tuaj dhe pritjen e mrekullueshme”, ka shkruar Lipa në mbishkrimin e imazhit në të cilën shihet përkrah Kurtit.
Në anën tjetër, lajmit për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” në Tiranë i janë gëzuar zyrtarët shtetërorë në Shqipëri.












