Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Kur Evropa zhvendos vëmendjen, çka ndodh me Kosovën?

30/03/2025 - 13:25
në Kryesore, Lajme
A A
Kur Evropa zhvendos vëmendjen, çka ndodh me Kosovën?
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Javët e fundit, ideja për një mision evropian në Ukrainë ka marrë vrull. Nëse realizohet, mund t’i ripërcaktojë prioritetet e sigurisë në Evropë. Por, si do ta ndikonte praninë e NATO-s në Kosovë? Më pak vëmendje, më shumë rrezik, parashohin disa analistë.

Ndërsa Evropa shqyrton dërgimin e trupave në Ukrainë, në lojë hyn edhe një front tjetër: Kosova.

Me mijëra paqeruajtës evropianë të dislokuar në vend, a mund të ndodhë që përqendrimi i burimeve dhe vëmendjes në lindje, ta lërë Kosovën më të cenueshme?

NATO-ja siguron që jo. Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zyrtar i aleancës thotë se “NATO-ja, prej kohësh, është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në këtë drejtim, së bashku me angazhimet e tjera që mund t’i marrin aleatët”.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosur në Kosovë pas përfundimit të luftës, më 1999.

Aktualisht ka mbi 4.600 trupa – shumica dërrmuese e tyre evropianë. Italia prin me mbi 1.200, pastaj vijnë shtetet e tjera, si: Hungaria, Gjermania, Polonia apo Zvicra me qindra ushtarë.

Në Bosnje e Hercegovinë, gjithashtu, prej dekadash ka një mision paqeruajtës, që përbëhet prej forcave evropiane.

Me 1.100 ushtarë dhe 3.500 të tjerë rezervë, EUFOR-i ofron mbështetje për institucionet e këtij vendi në ruajtjen e paqes, që nga viti 2004, kur i ka zëvendësuar forcat e NATO-s.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ishte në Bosnje dhe në Kosovë pikërisht këtë muaj. Në një takim me gazetarët në Prishtinë, më 11 mars, tha se angazhimi i NATO-s në rajon mbetet i fuqishëm edhe sot e kësaj dite.

Ai tha se dërgimi eventual i trupave evropiane në Ukrainë do të mund të ndikonte në rishikimin e pranisë së huaj ushtarake në Ballkan, por nuk tha se si apo kur.

“Është shumë herët [të flitet], sepse, së pari, duhet të arrihet marrëveshje për paqe në Ukrainë, apo për armëpushim, përpara se të filloni ta ruani atë”, tha Rutte.

Britania dhe Franca po udhëheqin përpjekjet për mbledhjen e një force ushtarake, që do të vendosej në Ukrainë, në rast të armëpushimit.

Kjo, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, inicioi bisedimet për një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës – tre vjet pasi shteti rus nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të tij.

“Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po udhëheqin së bashku planet për aranzhimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Ne po e bëjmë këtë punë së bashku. Po bashkëpunojmë ngushtë me vendet partnere dhe po përpiqemi të krijojmë një koalicion vullnetarësh nga Evropa dhe më gjerë”, tha sekretari i Britanisë për Mbrojtjen, John Healey.

Pas një takimi të udhëheqësve evropianë, më 27 mars në Paris, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ata u pajtuan që t’i shqyrtonin çështjet specifike ligjore rreth çfarëdo force evropiane të sigurisë për Ukrainën, dhe të raportonin pas tri javësh.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se misioni nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e SHBA-së, por SHBA-ja ishte e ftohtë ndaj idesë së ndonjë roli ushtarak në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha, po ashtu, se për Rusinë do të ishte e papranueshme prania e forcave të vendeve të NATO-s në Ukrainë – “në secilën rrethanë”, sipas tij.

Disa vëzhgues si Tim Less, nga Qendra për Gjeopolitikë e Universitetit të Kembrixhit, nuk presin që ky mision të formohet, pikërisht për shkak të këtyre kundërshtimeve.

Në vend të tij, Less pret që Evropa t’i fortifikojë shtetet që janë më të shqetësuara nga kërcënimi rus, si ato të Baltikut, Polonia, Rumania apo Moldavia.

“E, nëse vlerëson se Ballkani është në front për t’u ballafaquar me Rusinë, atëherë mendoj se do të shohim një militarizim më të madh, sidomos të Kosovës dhe Bosnjës. Por, nëse ndodh skenari i parë, ai do të kërkonte një lloj rialokimi të burimeve larg Ballkanit, drejt atyre vendeve të tjera”.

“Në atë rast, Serbisë do t’i dërgohej mesazh i qartë, se nuk do të përballej me kundërshtime, nëse i shtyn përpara qëllimet e veta politike”, thotë Less për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Këtë mendim ndan edhe Hikmet Karçiq, bashkëpunëtor hulumtues në Universitetin e Sarajevës dhe autor i librit “Torturë, poshtërim, vrasje: Brenda sistemit të kampit serb të Bosnjës”.

Zhvendosja e vëmendjes mund të krijojë boshllëqe në siguri, sipas tij.

“Çdo dhunë që ndodh në rajon, ka potencial të përhapet nga një vend në tjetrin – në Bosnje, Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni të Veriut. E kemi parë këtë edhe në të kaluarën. Por, viteve të fundit ka qenë fokusi i Perëndimit, i NATO-s, ai që e ka mbrojtur rajonin”.

“Në Kosovë, për shembull, prania e trupave të huaja është arsyeja kryesore përse Serbia nuk ka bërë përpjekje – përveç para gati dy vjetësh në Banjskë – ta sulmojë fizikisht atë”, thotë Karçiq për Exposenë.

Jeta Loshaj, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, pret që rajoni i Ballkanit të mbetet në radarin e Evropës dhe të zërë vend në secilin plan për mbrojtje që ajo bën.

Këtë, sipas saj, e dëshmon edhe vizita që bëri shefi i NATO-s në Kosovë, e paraprakisht edhe në Bosnje.

“Nuk e dimë ende nëse forcat [evropiane] do të vendosen në Ukrainë. Por, nëse një vendim i tillë merret, i bie që Evropa ka investuar në forcat e veta ushtarake. E kemi parë edhe planin për ndarjen e 800 miliardë eurove për mbrojtje. Mendoj se aty do të përfshihej edhe Kosova”, thotë Loshaj për Exposenë.

Loshaj u sugjeron institucioneve të Kosovës të mbeten në komunikim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë – qoftë me NATO-n si tërësi, apo edhe me shtetet e saj veç e veç.

Ajo e vlerëson në mënyrë të veçantë nismën për bashkëpunim ushtarak që u ndërmor së voni nga Kosova, Shqipëria e Kroacia.

“[Ajo] dërgon një mesazh se Kosova është gati për të gjetur mënyra jo vetëm për të forcuar kapacitetet e saj, por edhe për të reflektuar ndaj situatave të tanishme gjeopolitike”, thotë Loshaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili synon një mandat të ri qeverisës, premtoi këtë javë mbi një miliard euro buxhet për Forcën e Sigurisë së vendit dhe përsëriti se Kosova do ta ndërtojë fabrikën e saj të municioneve dhe dronëve ushtarakë.

Less, nga Universiteti i Kembrixhit, beson se Kosova duhet të ndërmarrë dy hapa kyçë për të ruajtur vëmendjen e aleatëve të saj.

“Një është lobimi aktiv te Perëndimi, duke promovuar idenë se Serbia është kërcënim për të dhe duhet të frenohet. Dhe, nën dy, të investojë në sigurinë e saj, duke ndërtuar ushtrinë e saj, duke ndërtuar rezervat e saj të armatimit e kështu me radhë – në rast se i duhet të përballet me Serbinë drejtpërdrejt dhe pa ndihmë nga jashtë”, thotë Less.

Karçiq pajtohet se strategjitë e koordinuara diplomatike dhe ushtarake do të jenë vendimtare në balancimin e këtyre sfidave të njëkohshme të sigurisë.

Sipas tij, Perëndimi do të duhej ta ndihmonte Kosovën në forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake dhe të sigurisë, përfshirë edhe rritjen e sigurisë kibernetike, për të qenë në gjendje të mbrohet nga kërcënimet e mundshme.

Bosnjën thotë se duhet ta inkurajojë t’i kapërcejë ndarjet e saj politike dhe të ndërmarrë hapa për t’i forcuar institucionet dhe kapacitetet e saj të sigurisë.

Në të kundërtën, Karçiq thotë se Rusia do të plotësonte çdo vakum të mundshëm që do të linte Perëndimi.

“Rusia, së bashku me mbështetësit e saj në Serbi dhe në Mal të Zi, do të përpiqej përfundimisht të pengonte zgjerimin e NATO-s në këtë zonë, si dhe integrimin e saj në BE. Po ashtu, do të bënte përpjekje për t’i destabilizuar edhe shtetet e NATO-s në Ballkan, si Mali i Zi. I kemi parë këto përpjekje edhe viteve të kaluara, sidomos me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, thotë ai.

Dhe, me një administratë amerikane që sinjalizon më pak përfshirje në çështjet evropiane, Kremlini mund të ndjejë më pak presion për veprimet e tij, qoftë në Ukrainë, qoftë në Ballkan, thotë profesori Less.

“Inaugurimi i Donald Trumpit më 20 janar ishte një lloj bombe që shpërtheu në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pothuajse kudo që shikoni, shihni një lloj të ndikimit të Trumpit”, sipas tij.

Në këtë klimë të pasigurt, sfida për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi duket e qartë: qëndroni në radar, ose rrezikoni të mënjanoheni nga loja gjeopolitike, thonë analistët.

Por, kjo kërkon një balancë të kujdesshme mes interesave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare – diçka që kurrë nuk është e lehtë, sidomos në një rajon si Ballkani. /REL

JU REKOMANDOJMË

Hamza uron amerikanët në Ditën e Falënderimeve: Mirënjohës për mbështetjen historike ndaj Kosovës
Lajme

Hamza uron Krishtlindjet: Të bashkohemi në vlerat më të mira njerëzore

24/12/2025 - 18:53
Aksion në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar- i sekuestrohet vetura që ishte në kërkim nga Suedia
Lajme

Aksion në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar- i sekuestrohet vetura që ishte në kërkim nga Suedia

24/12/2025 - 18:48
A e mbështesin Kurtin apo Hamzën për kryeministër? Flasin deputetët e komuniteteve jo-serbe
Lajme

Hamza i gatshëm për përballje televizive me Albin Kurtin “në cilëndo studio”

24/12/2025 - 18:33
Kaq janë pritjet për të dalë nga Merdara dhe Dheu i Bardhë
Lajme

Kjo është gjendja në pikat kufitare?

24/12/2025 - 18:10
Gaxherri: Bllokada e Kuvendit nuk i konvenon askujt, pos Kurtit dhe VV-së
Kryesore

Kurti: Sulmi ndaj kanalit Ibër–Lepenc ishte përpjekje e qëllimshme e Serbisë për destabilizimin e Kosovës

24/12/2025 - 18:01
Tronditet Cyrihu: Vri’tet 71-vjeçarja nga Kosova, tre persona të arrestuar
Lajme

Tronditet Cyrihu: Vri’tet 71-vjeçarja nga Kosova, tre persona të arrestuar

24/12/2025 - 17:50

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Gani Geci: Shpëtim pijandura, argat i Albin komunistit, i ka thirrur inspektoratin dhe policinë për t’i hequr fotografitë e Rugovës dhe Fadil Gecit në Podujevë

    Gani Geci: Shpëtim pijandura, argat i Albin komunistit, i ka thirrur inspektoratin dhe policinë për t’i hequr fotografitë e Rugovës dhe Fadil Gecit në Podujevë

    111 Shpërndaje
    Shpërndaje 44 Tweet 28
  • Vazhdon skandali me mishin me bakterien Salmonella, kompanisë “Kajmak” Sh.P.K. nga Prizreni i asgjësohen mbi 2 mijë kg

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • Loni Dekor lanson me sukses AI – Intelegjencën artificiale të parë të brendshme

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • Mbyllet rruga në Serbi në drejtim të Kosovës, MPJD del me njoftim të rëndësishëm për diasporën

    82 Shpërndaje
    Shpërndaje 33 Tweet 21
  • Oferta e fundvitit nga “Butrinti Group”: Blej banesë në Arbëri (ish Dragodan) me ofertë speciale dhe përfito garazh falas

    81 Shpërndaje
    Shpërndaje 32 Tweet 20

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë