Në disa pjesë të tekstit të këngës, Fero fajëson avokaten e ish-gruas së tij, Arbenitës, Blinera Osmanin, në procesin për kujdestarinë e vajzës, për të cilën thotë që nuk e ka parë qe tetë muaj, ani pse reperi s’e përmend me emër atë.
“Motra jote o arsya qe mu qika m’iki
Kom menu qe nuk e don padrejtesinë ti
Po te shpija jote padrejtesinë e ki ti“, thotë Fero në një pjesë të tesktit të këngës.
Ndërsa ndaj ish-gruas, Arbenitës përdorë një gjuhë të papërshtatshme dhe e ofendon rëndë.
Mes tjerash në tekstin e këngës, Fero thotë se ka dy vjet që i bëhet padrejtësia në raport me vajzën e tij.
Akuzat e Feros në drejtim të ish-gruas së tij, Arbenitës dhe avokates së saj, Blinera Osmanit kanë qenë të vazhdueshme. Për “padrejtësinë” që sipas tij po i bëhet, ai shpesh e ka quajtur avokaten osmani “mashtruese”.
Para dy ditësh, më 15 prill, avokatja Blinera Osmani kishte pranuar se është avokate e Arbenita Ismajlit në procesin për kujdestarinë e vajzës.
Ajo kishte thënë në T7 se ka zgjedhur të mos deklarohej për këtë çështje që të mos bëhej instrument për të tërhequr vëmendjen, dhe se informatat për rastet e tilla s’duhet ndarë me publikun pasi siç tha ajo janë tema të ndjeshme.
“Po e them tash që nuk dua që të jem pjesë e lojërave të ndryshme për vëmendje apo klikime, kështu që nuk dua të deklarohem sepse ndoshta edhe nuk meriton një reagim. Unë jam avokate, përfaqësuese ligjore e Arbenitës në çështjet e kujdestarisë dhe çështjet e tjera që ajo i ka“.
“Unë s’kam dhënë ndonjë deklaratë për këtë çështje se s’dua të jem instrument për të tërhequr vëmendje, apo për të zënë vend nëpër media, dhe për faktin se rastet familjare siç është ky janë në shqyrtime gjyqësore të mbyllura për publikun dhe informatat që janë pjesë e shqyrtimit gjyqësor s’duhet të ndahen me publikun se përbëjnë tema të ndjeshme, siç kemi të bëjmë me rastin e të të miturve“, kishte deklaruar avokatja e ish-gruas së Feros, Arbenitës.
Akuzat për “mashtrim”, nga Fero drejtuar saj, avokatja Osmani kishte thënë se një gjë e tillë nuk qëndron, pasi nuk është avokati ai që vendos të realizojë kontakt mes fëmijëve dhe prindërve, por vetëm për të mbrojtur në Gjykatë interesat e palëve përkatëse.
“Një gjë po e them, avokatët nuk marrin vendime për kujdestarinë, e as nuk realizojnë kontakt të fëmijëve me prindërit. Kështu që nuk ka mundësi të bëhet “mashtrues” sepse për këtë punë vendos vetëm Gjykata dhe organet e kujdestarisë, avokatët nuk kanë kompetencë për këtë çështje. Ne mbrojmë interesat e palëve tona në Gjykatë. Ndaj s’jam deklaruar se është e palogjikshme“, tha ajo, ndërsa shtoi se nuk i merr seriozisht deklaratat e Feros në rrjete sociale.
Krahas avokates, Fero kishte akuzuar edhe Gjykatën Themelore në Gjilan se “është në gjumë të thellë” sa i përket rastit të vajzës së tij.