Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan (NJRHKEK-Gjilan), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka ndaluar dy persona të dyshuar për mashtrim ndaj qytetarëve në rajonin e Gjilanit.
Pas një hetimi disa mujor, janë siguruar prova të mjaftueshme që dy të dyshuarit, G. J. (viti i lindjes 1986) dhe A. A. (viti i lindjes 2000), përmes paraqitjeve të rreme dhe mashtruese kanë bindur 13 qytetarë të ndryshëm të nënshkruajnë kontrata dhe të kryejnë pagesa për avans, pa marrë më pas produktet e premtuara.
Viktimat, nga komunat e Gjilanit dhe Vitisë, janë dëmtuar me një vlerë totale prej 24,607 eurosh, ku 9 prej tyre kanë bërë pagesa paraprake në shumën prej 3,494 eurosh.
Ngjarja është trajtuar si vepër penale për “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrim”. Të dyshuarit janë intervistuar më 20 nëntor 2025 në prezencë të avokatit dhe janë ndaluar për 48 orë me aktvendim të prokurorit.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe parandalimin e veprimeve të tilla në të ardhmen.