Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për mos vizitën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në Gjykatën Speciale të Hagës.
Në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka kritikuar Kurtin për këtë, dhe për një deklaratë të tijën se ka shumë letra për të plotësuar për të vizituar ish-komandantët e UÇK-së në Hagë.
“Mua është reale se kjo qeveri më ka befasuar, dhe ky kryeministër që është në detyrë ndoshta e keni dëgjuar në një televizion kur thotë ‘bëni të fala Rexhës dhe askujt tjetër’. A ka më dobësi? Ai nuk i ka bërë nder gjeneral Rexhep Selimit vetëm se i ka dërguar të fala”, u shpreh Gucati.
“Nuk po mundesh ta përmendësh emrin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Salih Mustafës apo Pjetër Shalës, por të paktën kjo qeveri është dashtë të thotë bëji të fala Rexhës dhe shokëve të tij. E le më të plotësojë letrat për vizitë, por nuk duhen shumë letra, nuk janë 100 letra, janë 12 faqe aplikacioni me i mbush. Ky ka studiuar për 20 apo 30 vjet e nuk po mundet të plotësojë 12 faqe. Por këtij nuk i bën dora, nuk i punon dora të shkruajë UÇK”, ka thënë Gucati.
I njëjti ka theksuar se me Qeverinë në detyrë për katër vite asnjëherë nuk patën ndonjë raport, apo kontakt.
Gucati pohoi se Qeveria e VV-së asnjëherë nuk u mor me familjarët e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e dalë nga lufta.
“Kjo qeveri, nuk dua ta krahasojë me dikë tjetër, ndoshta edhe armiku nuk do të dinte të sillej kaq keq me ne, për katër vite e gjysmë është në Qeveri nëse nuk gaboj. Kjo qeveri asnjë cent nuk e ka ndarë për shoqatat e dala nga lufta, kjo qeveri asnjë nënë të ndonjë dëshmori nuk e ka quar në ndonjë banjë për rehabilitim, kjo qeveri asnjë invalid të UÇK-së nuk e ka dërguar ta shërojë jashtë vendit, kjo qeveri asnjë veteran dhe asnjë fëmijë të veteranit nuk e ka dërguar për shërim jashtë vendit”.
“Kjo qeveri për katër vjet nuk e di kah hapet dera e Organizatës të Veteranëve të Luftës të UÇK-së. Asnjë raport nuk e kemi me këtë qeveri, unë kur jam lëshuar nga burgu e pata bërë një kërkesë për shoqatat e dala nga lufta, kam informacione se as nuk e ka marrë në dorë e ta shikojë. As nuk e ka marrë ta shqyrtojë, dhe jo se më ka kthyer përgjigje pozitive apo negative. Kjo qeveri vetëm gojën e ka UÇK e dëshmorë, për këtë qeveri janë të mirë ata që kanë vdekur, këta që kanë mbetur të gjallë mbi 3 mijë invalid që jemi nuk jemi të mirë, dhe veteranë”, theksoi Gucati.