Me iniciativën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe në bashkëpunim me Qatar Fund for Development dhe Gjysmëhënën e Kuqe të Katarit, kanë filluar në Kosovë ekzaminimet mjekësore për invalidët e luftës.
Ky projekt synon pajisjen e tyre me proteza ortopedike të avancuara dhe ofrimin e trajtimit mjekësor të specializuar.
Kjo nismë përfaqëson një vlerësim të veçantë për sakrificën e invalidëve të luftës, të cilët kanë humbur gjymtyrët në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së vendit. Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm ndaj këtyre personave dhe e ka cilësuar këtë projekt si një prioritet kombëtar dhe moral.
Në fjalën e saj, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Qatar Fund for Development dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit, duke theksuar se ky bashkëpunim forcon edhe më tej marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit.
Ky projekt përfaqëson një shembull të solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimit institucional për përmirësimin e jetës së invalidëve të luftës në Kosovë.