Policia ka njoftuar se një 34-vjeçar në Ferizaj është arrestuar pasi u zu në flagrancë nga pronari i një marketi në të cilin ai dyshohet se kishte hyrë për të vjedhur.
Sipas pronarit të këtij marketi i ka thënë policisë se ka pasë edhe katër raste të mëparshme të vjedhjeve ku janë marrë produkte ushqimore dhe pije të ndryshme.
“Më 01.07.2025, rreth orës 02:30, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, njësitet policore kanë ndërhyrë pas pranimit të një informate për një rast të vjedhjes në tentativë në një market. I dyshuari është kapur në flagrancë nga pronari i marketit brenda objektit, duke tentuar të kryejë vjedhje. Bazuar në deklaratën e të dëmtuarit, në këtë market dyshohet se janë kryer edhe katër raste të mëparshme të vjedhjeve, ku janë marrë produkte ushqimore dhe pije të ndryshme”, njoftoi policia.
I dyshuari ka thënë se ka kryer vjedhje edhe në një market tjetër në Ferizaj.
“I dyshuari F.Sh., 34 vjeç, është arrestuar nga policia dhe është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj. Gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, ai ka pranuar se ka kryer vjedhjen e sotme, si dhe disa herë të tjera në të njëjtin market. Po ashtu, ka deklaruar se ka kryer vjedhje edhe në një market tjetër në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj”.
Lidhur me rastin, policia tha se është njoftuar prokurori kujdestar dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë.