Dogana e Kosovës ka ndërmarrë një kontroll të detajuar në një subjekt afarist në Prishtinë, i cili merret me shitjen e telefonave mobil, pas pranimit të një informacioni nga një qytetar përmes linjave të hapura për raportimin e kontrabandës dhe veprave të tjera penale.
Pas verifikimeve paraprake, njësitet e Doganës kanë realizuar një kontroll të plotë të lokalit dhe hapësirave përcjellëse.
Gjatë kontrollit, në një aneks shtesë (bodrum) është gjetur një kasafortë, brenda së cilës janë zbuluar:
49 copë iPhone 16 Pro Max • 1 copë iPhone 16 Pro • 12 copë iPhone 15 Pro • 9 copë Samsung A36 5G • 6 copë Samsung A56 • 2 copë Samsung A26
Të gjithë këta telefona janë gjetur pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e tyre dhe dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Republikës së Kosovës.
Vlera e përgjithshme në treg e këtyre pajisjeve është rreth 64,340.00 euro.
“Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore ndaj subjektit në fjalë, duke sekuestruar mallin dhe duke iniciuar procedurat hetimore për kundërvajtje apo vepër penale, varësisht nga të gjeturat e mëtejme. Dogana e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe inkurajon të gjithë që të vazhdojnë të raportojnë rastet e dyshimta përmes linjave të hapura, duke kontribuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.