Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli, në kuadër të konsultimeve me përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kuvendin e Kosovës.
Takimi është pjesë e përpjekjeve të Presidentes për tejkalimin e ngërçit politik, i cili ka penguar deri më tani konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Në fokus të bisedës ishte nevoja për bashkëpunim institucional dhe krijimi i një hapësire të domosdoshme për dialog politik ndërmjet subjekteve parlamentare.
Gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani zhvilloi takime edhe me liderët e partive politike kryesore, ndërsa sot po vazhdon konsultimet me përfaqësues të partive dhe komuniteteve tjera parlamentare, në përpjekje për të gjetur zgjidhje konsensuale dhe kushtetuese për formimin e institucioneve të reja të vendit.