Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se votimi i fshehtë lejohet, por se për të duhet të ketë konsensus në mes të deputetëve.
“Lejohet si mundësi, por duhet të ketë vendim të seancës, të pyeten deputetët”, tha ajo.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas disa dështimeve radhazi të kandidates së Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, për të marrë votat e nevojshme, që nga 1 maji është duke e hedhur në votim një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.
Osmani gjithashtu ka paralajmëruar se nëse nuk ndodh konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, atëherë deputetët do të përballen me pasoja juridike.
Këto deklarata Osmani i bëri në një deklarim për media pas ceremonisë së betimit të 18 kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ajo tha se është duke planifikuar që në rast të moskonstituimit të Kuvendit “shumë shpejt” do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim.
Ajo theksoi se afati i përcaktuar nga Kushtetuta nuk është opsional dhe se shkelja e tij nuk mund të kalojë pa pasoja.