Një incident i rëndë është raportuar më 5 korrik 2025, rreth orës 21:30, në rrugën “Bahri Kuqi” në Vushtrri, ku një qytetar është sulmuar fizikisht dhe më pas ndjekur nga dy persona, njëri prej të cilëve dyshohet se ka përdorur armë zjarri.
Gazeta Sinjali mëson se viktima e këtij rasti është G.SH, 31 vjeçar, i cili ka raportuar se derisa po qarkullonte me veturën e tij në qendër të qytetit, një veturë Mercedes ngjyrë gri (me targa të panjohura), i është futur në mënyrë të parregullt në rrugë duke e rrezikuar. Pas një konflikti verbal, i dyshuari ka dalë nga vetura dhe e ka goditur me shqelm në mjekër.
Pas incidentit fillestar, G.SH është larguar me veturën e tij në drejtim të fshatit Gojbulë, por është vërejtur se po ndiqej nga i njëjti person, i cili ishte i shoqëruar me një tjetër. Pasi ka arritur në Gojbulë, viktima është futur në një rrugicë dhe është fshehur në shkurre, ku ka dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat dyshon se janë kryer nga të njëjtit persona.
Ai ka qëndruar i fshehur deri në mbërritjen e njësive policore, të cilat kanë kërkuar në zonë për të dyshuarit dhe për gëzhoja, por fillimisht nuk kanë gjetur asnjë provë materiale.
Fillimisht, prokurori kujdestar kishte udhëzuar që rasti të mos iniciohet, por më 06.07.2025, pas rishikimit të informacionit, është dhënë udhëzimi që rasti të procedohet si:
“Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Sulm”.
Rasti është aktualisht nën hetim nga njësia përkatëse e hetimeve në Vushtrri, ndërsa identiteti i personave të dyshuar mbetet ende i panjohur.