Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Bastilles, Ditës Kombëtare të Republikës së Francës, shkruan Mitropol.
Në fjalën e tij, kryeministri shprehu se 14 korriku nuk është vetëm një përkujtim i së kaluarës, por një përvjetor i vazhdueshëm i lirisë, luftës së njerëzimit për drejtësi, dhe i lindjes së qytetarisë moderne.
Tutje, ai shprehu mirënjohjen e tij ndaj Francës për mbështetjen e saj të vazhdueshme në shtetndërtimin dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës.
“Kosova, si një Republikë e re, lindi në frymën e këtyre idealeve. Ne kemi zgjedhur rrugën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, jo vetëm sepse është rruga më e drejtë, por sepse është rruga që e bën vendin të denjë për qytetarët e tij dhe një partner të besueshëm për miqtë e tij” është shprehur Kurti.