Sokrat Vata, autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit portugez në Ksamil, ka shprehur pendesë për ngjarjen gjatë seancës në Gjykatën e Sarandës, ndërsa u ka përcjellë ngushëllimet familjarëve të viktimës.
Para gjykatës, 29-vjeçari ka paraqitur versionin e tij për mënyrën se si nisi konflikti. Sipas Vatës, përplasja filloi brenda lokalit, pasi një grup turistësh francezë po bënin zhurmë. Ai pretendon se bashkë me kolegun i kanë kërkuar grupit të qetësohej, por situata është tensionuar dhe ka kaluar në përplasje fizike.
“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës, u shpreh ngushëllimet e mia dhe jam penduar për atë që ka ndodhur. Një grup turistësh francezë ishin brenda në lokal dhe po bënin zhurmë. Shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, por ata nuk u bindën dhe filluan të na shanin. U afruam më pranë dhe u kërkuam sërish të mbanin qetësi, por ata filluan të na godisnin”, ka deklaruar Vata.
Sipas dëshmisë së tij, përleshja më pas ka vijuar jashtë lokalit. Vata ka deklaruar se në atë moment ka parë një prej turistëve me thikë, të cilën thotë se ia ka marrë.
“Gjatë përleshjes fizike kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri prej tyre kishte një thikë, e kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment, dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull. Aty jam rrëzuar dhe ata kanë tentuar të më godasin sërish”, ka rrëfyer ai.
Vata pretendon se më pas ka reaguar në mënyrë instinktive, duke përdorur thikën në përpjekje për t’u mbrojtur. Ai thotë se nuk e kujton qartë momentin e goditjes dhe se, për shkak të gjendjes së shokut, është larguar nga vendi i ngjarjes.
“Instinktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur. Nuk e kujtoj se si e kam goditur, pasi isha nën shok. Nuk e dija nëse ndonjëri prej tyre ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku jam larguar”, ka deklaruar 29-vjeçari.
Hetimet dhe dëshmitë e tjera pritet të përcaktojnë rrethanat e plota të konfliktit dhe dinamikën që çoi në vrasjen e turistit portugez.













