Deputetja e Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, deklaroi gjatë ditës së djeshme se në fundjavë pritet të zhvillohet një takim ndërmjet kreut të Nismas, Fatmir Limaj, dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.
Izmaku u shpreh optimiste se mund të ketë një marrëveshje pas këtij takimi.
Në lidhje me këtë takim që pritet të ndodhë dhe se çfarë mund të sjellë ai ka folur për “Gazeta Blic”, njohësja e zhvillimeve politike në vend, Afërdita Maliqi.
Maliqi tha se duke patur parasysh edhe afatin 30-ditor të vendosur nga Kushtetuesja është shansi i fundit që LVV-ja si partia më e madhe të bëj marrëveshje politike dhe të respektoj afatet kushtetuese.
Ajo tha se pasi Nisma Socialdemokrate është shprehur e gatshme për bashkëpunim, Albin Kurti, duhet të bëjë kompromise edhe nëse është në pyetje posti i kryeparlamentarit.
“Ngërçi në Kuvend është thelluar shumë dhe ka tejkalu çdo normë, dhe t’u pas parasysh edhe afatin kushtetues 30 ditor, mendoj që është shansi i fundit që VV si partia më e madhe të bëj marrëveshje politike dhe të respektoj afatet kushtetuese. Në të kundërtën, kjo parti po rrënon rendin kushtetues duke mos respektu asnjë aktvendim apo rregullore, por duke i interprepretuar sipas dëshirës.Pasi NISMA ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me VV, atëherë duhet Kurti të bëj kompromise, edhe nëse është në pyetje kryeparlamentari, sepse kompromise janë bërë edhe në të kaluarën” deklaroi Maliqi.
Por, Maliqi, u shpreh skeptike se mund të arrihet një marrëveshje gjatë kësaj fundjave.
“Fundjava është paralajmëruar se do të ketë një takim, por dyshoj që do të ketë një marrëveshje, sepse ajo çfarë po shihet në horizont tregon se Kurti do të mundohet të shtyjë këtë situatë sa të mundet” tha Maliqi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.