Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pritet të takohet në fundjavë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvednosje, Albin Kurti, në përpjekjen për të arritur një marrëveshje për të dalë nga ngërçi institucional.
Lajmin e ka konfirmoi dje deputetja e Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku.
Izmaku ka deklaruar se Nisma Socialdemokrate insiston që Limaj të ketë postin e kryeparlamentarit.
“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv që këto bisedime që kanë shku me muaj të tërë të prodhojnë një rezultat dhe Kosova të ketë institucioneve. Ende nuk është pirë kafja mes Limaj e Kurtit, por pritet që kafja me u pi deri në fundjavë dhe të shpresojmë se dikush po del mbi egot personale dhe egot partiake e ky duket që do të jetë Limaj. Ai nga fillimi e ka ndryshuar diskursin dhe sikur të gjithë të kishim mendu me i ndryshu egot dhe inatet personale, besoj që sot do të kishim diskutu për ligje dhe jo me pa një situatë të tillë.Jemi në dialog që Limaj të bëhet kryeparlamentar”, ka thënë Izmaku.
Në lidhje me këtë takim dhe se çfarë pritet të sjellë ai, ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike, Muhamet Kelmendi.
Kelmendi tha se pritet të ketë një marrëveshje ndërmjet Kurtit dhe Limajt.
“Në kuptim normal duhet të jetë epilog pozitiv. A do të ketë me ketë mjaft deputet, 61, nuk dihet. Pritet një marreveshje Kurti-Limaj” tha Kelmendi.