Dy lëndë të reja pritet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese sa i përket ngërçit politik të krijuar me moskonstituimin e institucioneve të reja. Njëra është paralajmëruar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ndërsa tjetra, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një konferencë për media të mbajtur gjatë kësaj jave, Osmani paralajmëroi se po përgatisin një lëndë për në Kushtetuese. Kjo, nëse deri më 26 korrik nuk konstituohen institucionet e reja.
“Unë mund të bëj thirrje për dëmin, rreziqet që po përballen vendi nëse s’kemi konstituim, por unë jam e bindur se si për çdo afat, edhe për këtë afat, nëse nuk respektohet duhet të ketë pasoja juridike. S’po flas për pasoja penale, po flas për juridike. Çka ndodhë me institucione nëse nuk konstituohen deri më 26 korrik?”
“Nëse mund të vazhdohet kështu, për çka është vendosë ai afat, pse është i detyrueshëm dhe Kushtetues. Jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese, nëse edhe këtë vikend nuk ka institucione apo marrëveshje, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës” – tha ajo.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje do të ankohet për vendimin e Gjykatës Supreme që ua bëri të qartë deputetëve të kësaj partie se nuk mund të mbajnë nga dy pozita, më konkretisht, edhe ato të ministrave.
“Betimin ministri Murati e ka bërë më 19 prill, udhëzimi është nënshkruar më 15 prill, janë tri ditë përpara, nëse s’e numërojmë 15 prillin. Është situatë e paqartë, sepse Gjykata Supreme ka shtuar diçka që nuk ezkiston në ligjin për Qeverinë.
Kur konstituohet Kuvendi, formohet Qeveria, nëse ministri Murati do të jetë sërish ministri, s’kemi vendosur mos më citoni, atëherë natyrisht që nuk do të jetë më deputet.
Do ta ankimojmë këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese sa më shpejt, përmes avokaturës shtetërore do të bëhet ankimimi” – tha ajo.
Theksojmë se sot për herë të 49-të ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Nacionale ka mësuar ekskluzivisht nga burime të mirëinformuara se takimi i sotëm mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk prodhoi asnjë konsensus.
“Nuk ka marrëveshje në takimin që është mbajtur sot.” – i tha burimi Nacionales, duke konfirmuar se të dyja partitë vazhdojnë të mbajnë pozicionet e njëjta.
“VV-ja dhe Nisma vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet që kanë pasur. Bisedimet ndërmjet dy subjekteve politike do të vazhdojnë” – shtoi burimi.