Presidenti amerikan Donald Trump, ka përgëzuar drejtoreshën e Zbulimit Kombëtar, Tulsi Gabbard, për deklaratat e saj të fundit lidhur me atë që e përshkroi si mashtrim elektoral në vitin 2016, duke akuzuar drejtpërdrejt administratën e ish-presidentit Barack Obama.
“Punë e shkëlqyer nga i riu dhe i talentuar Harrison Fields në Fox News. Paneli ishte fantastik në ndjekjen penale të Obamës dhe ‘banditëve’ që tashmë janë zbuluar në mënyrë të pakundërshtueshme në mashtrimin më të lartë zgjedhor,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.
“Përgëzime për Tulsi Gabbard. Vazhdo kështu!!!” shtoi ai.
Gabbard, e cila aktualisht mban postin e Drejtoreshës së Zbulimit Kombëtar, akuzoi publikisht Obamën dhe disa nga zyrtarët më të lartë të administratës së tij për përfshirje në atë që ajo e quajti një “konspiracion tradhtie” për të minuar fitoren e Trump në zgjedhjet e vitit 2016.
E mbështetur në dokumente të sapo deklasifikuara, Gabbard deklaroi se zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare gjatë administratës Obama kishin “fabrikuar” dhe politizuar vlerësimet e zbulimit mbi ndërhyrjen e Rusisë.
Sipas saj, këto veprime ishin pjesë e një përpjekjeje të koordinuar për të diskredituar Trump dhe “për të përmbysur vullnetin e popullit amerikan”.
Në një postim në rrjetin X (ish-Twitter), Gabbard shkroi: “Për muaj të tërë para zgjedhjeve të 2016-ës, komuniteti i zbulimit ndante një qëndrim të përbashkët: Rusia nuk kishte as qëllimin dhe as aftësinë për të hakuar zgjedhjet amerikane. Por disa javë pas fitores historike të Presidentit Trump ndaj Hillary Clinton, gjithçka ndryshoi.”
Në deklaratën e saj ajo bëri thirrje për një hetim penal të plotë.
“Pavarësisht se sa të fuqishëm janë, çdo person i përfshirë në këtë konspiracion duhet të hetohet dhe të ndiqet penalisht deri në masën më të plotë që lejon ligji,” theksoi Gabbard.
Ajo përmendi me emër ish-Drejtorin Kombëtar të Zbulimit James Clapper, ish-Drejtorin e CIA-s John Brennan dhe ish-Drejtorin e FBI-së James Comey si përgjegjës për këtë çështje.
Sipas dokumenteve të publikuara nga zyra e Gabbard, vlerësimet nga komuniteti i zbulimit para dhe menjëherë pas zgjedhjeve sugjeronin se Rusia nuk kishte synuar të ndryshonte rezultatin përmes mjeteve kibernetike.
Raporti shton se pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë në dhjetor të vitit 2016, zyrtarët e administratës Obama ndryshuan qëndrimin, duke u mbështetur në inteligjencë ende të pa verifikuar, përfshirë edhe dosjen Steele, për të mbështetur pretendimin se ndërhyrja ruse kishte ndikuar në rezultatin zgjedhor.