Analisti Dukagjin Gorani ka analizuar mundësinë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës në seancën e thirrur për sonte në orën 22:00.
Gorani u shpreh se mbetet e paqartë arsyeja e thirrjes së kësaj seance pas dështimit gjatë paraditës. “Unë s’mundem të kuptoj pse u thirr seanca për sonte, pas dështimit të radhës që ndodhi sot. Nëse ka ndonjë arsye të madhe, pse u thirr kjo seancë, atëherë kaq do të duhej të mendonim se ndoshta do të ketë një zgjidhje,” tha Gorani.
Sipas tij, mundësitë për një zgjidhje janë të kufizuara dhe mund të realizohen në dy mënyra. E para, siç theksoi ai, është përmes arbitrazhit ndërkombëtar (presionit të aleatëve), ndërsa e dyta është arritja e një marrëveshjeje mes palëve, megjithëse Gorani dyshon në mundësinë e një zgjidhjeje përmes dialogut. “100 e kusur ditët e kaluara e kanë dëshmuar që, veçanërisht partia që është në pushtet, nuk e kupton politikën si akt të arritjes së marrëveshjes,” shtoi ai.
Në përfundim, Gorani nuk beson se seanca e sonshme do të sjellë një rezultat pozitiv pa ndërhyrje ndërkombëtare.
“Nëse do të ketë zgjidhje, atëherë do të ketë zgjidhje përmes traditës së kahmotshme të intervenimeve ndërkombëtare përmes formave të ndryshme të bërjes së presionit.” – shtoi ai.