Lëvizja Vetëvendosje dje ka prezantuar kandidatët për kryetar të tri komunave në veri të Kosovës, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Nga kjo parti është bërë e ditur se për kryetar të Leposaviqit do të rikandidohet kryetari aktual, Lulzim Hetem, për Zubin Potok Vedat Mehmeti dhe për Zveçan Fetah Peci.
Mirëpo, ajo që ka ra në sy nga njoftimi i djeshëm ishte se LVV nuk ka prezantuar kandidatin për kryetar të Mitrovicës së veriut, ani pse udhëheq këtë komunë me kryetarin aktual Erden Atiq.
Burime të Veriu.info se qendra (dega) e LVV në Mitrovicë bëjnë të ditur se mos prezantimi i kandidaturës së Erden Atiqit ka ardhur si pasojë e mos-marrëveshjes për atë se kush do të jetë bartës i listës për asamblistë në Kuvendin e Komunës të Mitrovicës së veriut.
Veriu.info mëson se ambicie për të qenë bartëse e listës së kandidatëve për asamble ka shprehur sekretarja e LVV në Mitrovicë, Aida Doli, por që kandidatura e saj është kundërshtuar nga kryetari Erden Atiq, i cili më këmbëngulje ka insistuar që ai të jetë edhe kandidat për kryetar edhe bartës i listës për asamble.
Ndryshe, në forume të brendshme të LVV në muajt e fundit është proklamuar standardi që në komunat ku kandidatët për kryetar janë meshku, bartësi i listës së kandidatëve për asamblist duhet të jetë femër.
Kujtojmë se kandidatët për asamblistë zakonisht kanë ambicie të mëdha të jenë bartës të listave të partive, pasi që secila votë që i jepet një kandidati për asamble i shkon direkt edhe bartësit të listës, që praktikisht bartësi i listës bëhet automatikisht asamblist në momentin që partia fiton një mandat në Kuvend Komunal./Veriu.info